Faqja e parë e numrit të sotëm të katalanases “Sport” bën me dije dëshirën e madhe të Barcelonës për sulmin e së ardhmes. Ëndrra është Erling Haaland, por borxhet dhe llogaritë financiare që duhet të respektohen sugjerojnë një zgjidhje më të lirë se norvegjezi për klubin blaugrana.
“Radarët” e gjigantëve nga “Camp Nou” mbeten gjithsesi në Skandinavi. Objektivi është suedez Alexander Isak, i cili ka avantazhin e njohjes së La Liga-s, duke luajtur sezonin e tretë te Real Sociedad.
17 gola në kampionatin e kaluar, ndërsa këtë edicion konkludueshmëria e tij ka rënë ndjeshëm me vetëm 4 gola në 19 ndeshje. Kontrata e tij me baskët skadon në vitin 2026 dhe lojtari ka një klauzolë lirimi prej 80 milionë eurosh, e cila është gjithashtu e paarritshme, por gatishmëria e lojtarit për të lëvizur mund të bëjë diferencën.